Nënkampioni paraplegjik i botës, infermier për të sëmurët e virusit!

Që nga viti 2011 nuk është më vetvetja, në kuptimin fizik. Erik Darzhon (Dargent) është një sërfist francez 42-vjeçar, i kafshuar atëherë nga peshkaqeni, dhe i bërë paraplegjik, por që as sportin nuk e la, dhe as profesionin e infermierit. Aktualisht, ai ndodhet në Francë ku ka veshur uniformën e infermierit duke ndihmuar njerëzit e sëmurë, dhe “kryefjala” është koronavirusi.

“Jam kthyer nga Kampionati Botëror i sërfit, që u mbajt në Kaliforni në fillim të marsit, – shprehet Darzhon, – ku dola nënkampion i botës, dhe nuk kishte kufizime. Tashmë jam në Francë, ku po bëj punën time, ndërsa sërfin e kam lënë për një kohë tjetër. Shumica e pacientëve të mi vijnë për shërbimet e zakonshme, por ka edhe nga ata që shqetësohen nga koronavirusi. Nuk kam problem për maska dhe dezinfektantë, pasi i kam mbledhur që përpara se të shkoja në Amerikë. Shqetësimi im më i madh është që nuk kemi teste për koronavirusin”.

Darzhoni shkon nëpër shtëpitë e të vjetërve, në qytetin e tij Martigë, në rajonin Bush dy Ron (Bouches du Rhone) që nuk kanë mundësi të dalin, sidomos tani që është e rrezikshme, dhe keqardhja e tij është se nuk ka mundësi t’i testojë pacientët. “Në laborator, sa herë që i marr në telefon, më thonë se pacientët duhet të kenë temperaturë që t’i testojmë, – shprehet ai, – por, ata mund të kenë koronavirus dhe ne presim derisa të kenë temperaturë!”

Sfidanti.al