Çfarë nuk ndodh në “El Klasiko”, Reali i madh, “tuç” në parket!

Sezoni ka qenë shumë i mirë për Realin, dhe thuajse shumë i keq për Barcelonën. Flasim për basketbollin, ku luhet çdo vit “El Klasiko” ashtu si në futboll. Madrilenët janë në pozicion shumë më të mirë në Euroligë, ndërsa katalanasit janë të eleminuar, “los blankosit” janë në vend të parë në kampionat (Liga Endesa) me shpresë të fitojnë një tjetër titull, ndërsa “azulgranët” kanë qenë deri tani si mos më keq.

Gjithsesi, ardhja në stol e mjeshtrit serb, Svetislav Peshiç, ka bërë që Barcelona të ketë ndryshime të rëndësishme. Pikërisht përballë Realit fitoi finalen e Kupës së Mbretit, edhe pse pak ditë më vonë u shkatërrua brenda në “Palau” nga rivali i madh, me një diferencë të madhe, në ndeshjen e luajtur për Euroligën. Gjithsesi, ja ku erdhi këtë të diel edhe El Klasiko tjetër, ai për kampionatin dhe dora e Peshiçit u ndje përsëri.

Barcelona triumfoi 94-72, një diferencë tepër e madhe sidomos për gjendjen e dy skuadrave deri tani. Po ashtu, katalanasit janë ngjitur në vend të dytë, me pikë të barabarta me Valencian dhe Baskonian (15 fitore, 7 humbje), ndonëse vendi i parë i Realit duket i paprekshëm (19 fitore, 3 humbje). Gjithsesi, deri në plej of ka ende shumë kohë.

Sfidanti.al