Trajnerët rusë nuk dinë të punojnë pa doping!

Zëvendëskryeministri rus, Vitalij Mutko, deklaroi dje se pezullimi i ekipit të atletikës së Rusisë ende vazhdon. Ai vuri në dukje se arsyeja është se shumë trajnerë i kanë dopinguar sportistët e vet. Sikurse dihet, Federata Ndërkombëtare e Atletikës Amatore (IAAF), që nga nëntori 2015, i ka pezulluar atletët rusë, për shkak të përdorimit sistematik të dopingut, për të cilin, sikurse thonë në Rusi, funksionarët shtetërorë të lartë të saj nuk dinin gjë.

“Kanë ndodhur shumë keqpërdorime dhe shkelje të kodit, por janë bërë gabime të mëdha, kur është fjala për reformat. Problemi konsiston te fakti se shumë trajnerë, në përgjithësi, nuk dinë të punojnë pa përdorur dopingun, kështu që ka ardhur koha që këta trajnerë të dalin në pension”, deklaroi Mutko që ka qenë edhe ministër i Sporteve të Rusisë. Kjo deklaratë e Mutkos, në fakt, përben një ndryshim të qëndrimit publik të tij, pasi, më parë, ai, vazhdimisht, ka kritikuar IAAF-in lidhur me këtë çështje.

Sfidanti.al