Probleme për Arsenalin: Aleksis Sançez nuk do kontratë të re

Arsenali po përballet me një problem të madh, qëkur golashënuesi më i mirë i këtij ekipi të Premier Ligës angleze, Aleksis Sançez, u ka bërë të ditur krerëve të klubit se, tani për tani, ai nuk do që të nënshkruajë një kontratë të re për vazhdimin e bashkëpunimit me “topçinjtë”. E ardhmja e këtij sulmuesi 28-vjeçar do të varet, para së gjithash, nga fakti sesi do të përfundojë ky sezon, pasi ky futbollist kilian ua ka bërë të qartë drejtuesve të klubit se ai nuk do të rrijë tek Arsenali, nëse ky i fundit nuk arrin që të sigurojë vend në Ligën e Kampioneve të Evropës.

Në fakt, për Sançezin janë interesuar klube të mëdhenj evropianë, si Juventusi, PSZH-ja, Celsi dhe Atletiko e Madridit, ndërkohë që futbollisti i mësipërm u ka bërë të ditur, përmes agjentit të vet, atyre që qëndrojnë në krye të Arsenalit se, që të nënshkruajë një kontratë të re me këtë klub, ai do një rritje page javore deri në 300 000 sterlina. Por, sidoqoftë, kushti kryesor që ai të vazhdojë të luajë me “topçinjtë”, është pjesëmarrja e ekipit në Ligën e Kampioneve.

Sfidanti.al