Në Napoli, urrejtja për Juven e kalon çdo përmasë dhe për të mos përfunduar në çështje, ashtu si Higuain gjatë merkatos së verës, numri 1 i pankinës është i gatshëm të bëj edhe çudira. Drejtuesit e Juventusit janë në kërkim të një trajneri, pasi Masimiliano Alegri në fund të këtij edicioni pritet të marrë drejtimin e Arenalit. Mediat në Itali shkruajnë, se Paulo Sousa i Fiorntinas dhe Mauricio Sarri i Napolit janë dy dëshirat e kampionëve. Por tekniku i Napolit nuk dëshiron as të dëgjojë për Juventusin, madje ka kërcënuar se do të padisë mediat që kanë shkruar lajme të tilla.
“Një gazetë shkruan se unë tashmë jam takuar me drejtuesit e Juventusit. Do të bisedoj me avokatët e mij dhe të shoh nëse ka hapësirë për padi. Këto janë lajme të pavërteta dhe kështu që unë po mendoj edhe veprimet ligjore”, tha Sarri për mediat italiane.