Sulmuesi i Dortmundit ftesë për garë 30 m për Usain Boltin

“Ndoshta, në 10 metra, dikush edhe mund të më kaloj, kur është fjala për sportistë që stërvitën çdo ditë, por, që të garoj me mua në distanca më të gjata, as nuk duhet që t’i shkojë kujt mendja”, tha, duke qeshur, ditët e fundit, rekordmeni xhamaikian i botës në vrapimet 100 m dhe 200 m, Usain Bolt, që po planifikon që t’i japë fund karrierës së tij në atletikë dhe të fillojë një të re, në fushat e futbollit. Ky atlet legjendar ka paralajmëruar se do të tërhiqet nga pistat e atletikës, verën e ardhshme, dhe, qysh tani, ka filluar që të stërvitet me ekipin e futbollit të Borusias së Dortmundit. Kampioni i nëntëfishtë olimpik nuk e fsheh se synimi i tij final është Man[ester Junajtidi, ndërkohë që zbulon se ka bërë disa hapa në këtë drejtim.

“Mund t’ju them, përfundimisht, se futbolli është puna që më intereson më shumë, pasi unë ta mbyll karrierën në atletikë, prandaj, unë kam filluar që të bëj disa hapa që t’i realizoj synimet e mia. Të shikojmë sesi do të përfundojë e gjithë kjo punë që unë kam filluar. Në rast se unë do të arrij që ta vesh bluzën e Junajtidit, ky do të jetë realizimi i ëndrrës sime”, i tha, dje, Bolti “Skaj Sportsit”. Ajo që është interesante, ndërkohë, është deklarata e futbollistit të Borusias së Dortmundit, Pjer Emerik Obamejang, që u përpoq ta sfidonte Boltin, duke e ftuar këtë të fundit që të garojnë bashkë në 30 metra, pra se kush është më i shpëjtë. Por, sprinteri nga Xhamajka qeshi dhe tha: “Per 10 metra edhe mund të ma kalosh, pastaj…”