Sinqeriteti i Federerit: S’shkoj në turne që të mundem menjëherë!

Viti tenistik 2019 i Rozher Federerit ka qenë me shumë më pak lajme sesa në të kaluarën. Ai që mund të quhet si më i miri i historisë së këtij sporti hoqi dorë nga mjaft turne, ndërsa u paraqit në “Madrid Open”, dhe gazeta “Marka” i mori një intervistë ku e pyeste se përse ky “rrallim”. “Nuk isha në Montekarlo apo në Barcelonë, sepse nuk dua që të marr pjesë në turne ku të humbas që në raundin e dytë, – tha zvicerani, – unë e kam bërë ndërkaq karrierën time, dhe i kam provuar të gjithë turnetë, ndaj në këtë moshë duhet të përqëndrohem te kryesorët”.

Federer vlerëson Madridin si “sparring” përpara “Rolan Garosit” të Parisit, pasi edhe turneu spanjoll është me sipërfaqe me dhe të ngjeshur. Fituesi i 20 Grand Slemeve është ende në dyshim nëse duhet të shkojë në Romë javën që vjen, pasi varet sesi do të ndihet fizikisht. Synimi kryesor për 37-vjeçarin është Rolan Garosi, si Çmim i Madh, ashtu siç ishte Australian Open, dhe siç do të jenë Uimbëlldoni e US Openi, por edhe turneu i fundit Masters, mes 8 më të mirëve të renditjes botërore.

Federer mendon se në Paris, favoritët do të jenë të përhershmit, pra Rafael Nadal apo Novak Gjokoviç (natyrisht,edhe ai vetë), ndonëse do të ketë sfidues të fortë si Vavrinka, Del Potro, Nishikori, Tim apo Zverev.

Sfidanti.al