Dortmundi i ka “sytë në ballë”, mban fort trajnerin Favre

Kur Lysien Favre mbërriti në selinë e Dortmundit verën e vitit të kaluar, në klub i kërkuan që të bënte të mundur që të mos përsëritej sezoni i vështirë i mëparshëm. Skuadra verdhezi “hoqi të zitë e ullirit” për t’u kualifikuar për në Champions, duke ia kaluar vetëm me golaverazh e ndeshje direkte Leverkusenit, e duke mbetur 29 pikë prapa Bajernit kampion.

Favre nuk premtoi gjë, por premtoi punë, dhe sot, në maj 2019, ai ia ka dalë plotësisht, pasi Dortmundi është në vend të dytë, katër pikë prapa Bajernit kryesues. Pavarësisht se zhgënjimi është i madh, pasi Borusia ishte në krye me diferencë në fazën e parë, sërish drejtori sportiv, Mikael Cork, i nxjerr konkluzionet siç duhet. “Ne do të vazhdojmë me Favren edhe sezonin tjetër, – tha ai, – trajneri e stabilizoi skuadrën dhe hodhi bazat për krijimin e një ekipi të ri. Fati i tij nuk ka lidhje me titullin kampion”. Favre ka kontratë deri në 2020, madje drejtuesit janë gati të nisin bisedimet për ta zgjatur atë.

Sfidanti.al