Në Shën Peterburg po ktheheshin jo edhe aq të lumtur, ndonëse titulli ishte fare pranë. Zeniti vetëm ia kishte dalë të barazonte në Çeçeni ndaj Ahmatit të Groznit në Premier Ligën e Rusisë, një ndeshje që deshi ta fitonte. Gjithsesi, ndërsa ishin duke udhëtuar me avion drejt shtëpisë, lojtarët e kishin vëmendjen tek ekrani i televizorit, apo tek celularët e tyre për të marrë vesh rezultatin e ndeshjes Arsenal Tula-Lokomotiv Moskë.
Në përfundim, ata u hodhën përpjetë nga gëzimi, pasi moskovitët humbën 0-2 dhe diferenca e Zenitit me ta u bë 9 pikë. Kjo do të thoshte titull, pasi kanë mbetur vetëm 3 javë deri në fund, pra 9 pikë, dhe Zeniti ka bilanc më të mirë ndaj Lokomotivës në ndeshjet direkte. Ky është titulli i 4-ët i klubit nga kryeqyteti i Pjetrit të Madh, ndërsa mbetet ende pas Spartakut të Moskës që ka 10, dhe CSKA-së së Moskës që ka 6.
Aeroplani çarter i Zenitit ishte rreth 11 000 metra mbi sipërfaqen e tokës, dhe futbollistët bashkë me stafin e morën vesh lajmin, ashtu si Zhukovi, duke qenë në ajër. Ndryshimi ishte se Zhukovi mori lajm të keq, se ishte shkarkuar si Ministër i Mbrojtes i Bashkimit Sovjetik, ndërsa po udhëtonte me avion nga Shqipëria për në Moskë.
Sfidanti.al