Mercedesi duhet ta mendojë Alonson, thotë shefi i skuadrës gjermane!

Fernando Alonso do të jetë shumë i vështirë për t’u siguruar për sezonin e ardhshëm nga Mercedesi, por skuadra gjermane gjithsesi po mendon për të, si pasardhës i mundshëm i Niko Rosbergut. E thotë vetë shefi i saj, Toto Volf, i cili ka vlerësim të madh për pilotin spanjoll. “Nuk mund të mos e konsiderosh Fernandon, – u shpreh Volf për “Skaj Sportsin”, – është një pilot të cilin unë e respektoj shumë, dhe që kombinon talentin, shpejtësinë dhe përvojën”. Gjithsesi, Volf e ka të qartë se Alonso ka edhe një vit kontratë me Meklarenin, pra do të jetë shumë e vështirë që të kryhet një operacion i tillë.”Fernando ka kontratë me Meklaren Hondën dhe ne duhet të mendojmë të gjitha alternativat e mundshme”, – janë fjalët e kampionit të botës për skuadra.
Cilat janë alternativat? Sebastian Fetel do të ishte maksimumi, pasi audienca do të ishte maksimale për të parë garën e një piloti katër herë të botës, me një tjetër tri herë të botës, me të njëjtën makinë, veçse nuk është lehtë të largohesh nga Ferrari, sidomos kur fiton gati 50 milionë euro në sezon. Si gjerman, Fetel do të ishte ideal për Mercedesin. Maks Verstapen është mundësia tjetër, dhe holandezi është një talent i madh. Babai i tij po bisedon me Volfin, por Red Bulli nuk do të ishte dakord ta humbiste. Së fundi, alternativa e re dhe e paprovuar, 22-vjeçari Paskal Verlain, aktualisht pilot i Mercedesit.