Gazeta “El Mundo Deportivo” vazhdon të zbulojë informacione të reja rreth “parajsave fiskale” të futbollit, ku sportistë të ndryshëm kanë dërguar paratë dhe i janë shmangur ligjeve përkatëse në vendet ku luajnë. Këto infomacione janë siguruar nga “Der Spiegel”, bashkë me rrjetin hulumtues EIC. Këtë herë kanë dalë në dritë klauzolat e fshehta të kontratave të futbollistëve, por edhe diçka shumë e veçantë për Kristiano Ronaldon.
Kjo ka të bëjë me të ashtuquajturën “kontratë e konfidencialitetit”, me kohëzgjatje 70-vjeçare. Kështu, CR7 kërkon diskrecion të plotë nga punonjësit e tij në shtëpi. Portugezi ka nënshkruar një marrëveshje konfidencialiteti me punonjësit e vet, të cilët nuk mund të thonë asgjë në lidhje me jetën e tij private, deri 70 vite pas vdekjes së lojtarit, apo familjarit të fundit të tij.
Mashtrimi me taksat, për Kristiano Ronaldon ka nisur që në fillim të vitit 2009, disa muaj përpara mbërritjes së tij te Real Madridi, me të ardhurat nga të drejtat e imazhit, duke iu shmangur taksave. Këtë gjë, portugezi e ka bërë duke i depozituar paratë në disa kompani në Ishujt Virgjin, një strehë e taksave në Karaibe. Këto kompani operojnë në mënyrë të errët, përmes mashtrimit ligjor.