Leonard, a do ta kesh fizikun për t’i dhënë titullin Klipersave?!

Në ndeshjen e fundit shkëlqeu, dhe siguroi fitoren e vështirë ndaj një ish-ekipi të tij. Koui Leonard shënoi 38 pikë në vetëm 34 minuta, ndërsa Los Anxhelos Klipersat mundën me zor të madh San Antonion, 103-97, ndërsa pikëpyetja mbetet për “thellësinë” e skuadrës nga Kalifornia. Me 2 humbje në 6 ndeshje deri tani, Klipersat nuk ngjajnë me ndonjë nga “dinastitë” e mëparshme si Lejkërsat, Sëlltiksat apo Golden Stejti, që fitonin ndeshje radhazi.

Vetë Leonard është lënë shpesh pushim, dhe kjo ka bërë që Klipersat edhe të munden, ndërsa ylli tjetër, Pol Xhorxh, është i dëmtuar. Kundër San Antonios, kampioni në fuqi i NBA-së ishte i mrekullueshëm duke shtuar edhe 12 topa në tabela e 4 vjedhje topi, ndonëse nuk pati shumë asiste (vetëm një). Trajneri Dok River nuk ishte i kënaqur me saktësinë e lojtarëve të tij, por të paktën mbrojtja ishte e fortë. “Ishte kënaqësi të luaja ndaj ish-shokëve të mi dhe ndaj ish-trajnerit tim Greg Popoviç, – tha Leonard, – le të shohim përpara”.

Sfidanti.al