Lejkërsat nuk i shpëton vetëm Lebroni e Dejvisi, por edhe Kajl Kuzma!

Këtë herë skuadra ishte më shumë sesa vetëm dy yje. Los Anxhelos Lejkërs kaluan nga humbja e hidhur shtëpiake ndaj Torontos, në suksesin e rëndësishëm në fushën e Feniksit, dhe kjo nuk ndodhi thjesht për meritë të Lebron Xhejmsit dhe Entoni Dejvisit. Të dy gjigandët ishin në parket, por një rol vendimtar mori basketbollisti i ri Kajl Kuzma, që ndihmoi fitoren në sekondat e fundit, me shifrat 123-115.

Dueli i NBA-së u duk fillimisht i lehtë për Lejkërsat, që kryesuan për shumicën e kohës, por nuk arritën ta mbanin epërsinë deri në fund. Feniksi reagoi madje kaloi edhe në avantazh në minutat e fundit, mbështetur edhe mijëra tifozë, por nuk ia doli të triumfonte. Kuzma shënoi 23 pikë për ekipin nga Kalifornia, mes të cilëve edhe një tripikësh përcaktues në fund.

Entoni Dejvis realizoi 24 pikë dhe kapi 12 topa në tabela, ndërsa Lebron Xhejms shtoi 19 pikë, 7 topa në tabela e 11 asistë. Me këtë sukses, Lejkërsat kanë bërë nisjen më të mirë të kampionatit që nga viti 2010, pas 10 ndeshjeve të para, duke pasur 8 fitore e 2 humbje. Skuadra e shquar do të përpiqet ta vazhdojë këtë ecuri, kur të presë Golden Stejtin në “Stejpëlls Sentër”, ndonëse njëri nga yjet, Entoni Dejvis, është në dyshim për shkak dëmtimi.

Sfidanti.al