Lebroni mbi Hardenin dhe Uestbrukun, edhe pa Entoni Dejvisin!

Ishte një provë force ajo që u luajt në Arenën e Hjustonit në Teksas. Kryesuesja e Konferencës Perëndimore u ndesh me skuadrën vendase, gjithashtu pretendente për titull, ndërsa përballë u vunë dy kampionë që synojnë titullin e Lojtarit të Vitit. Lebron Xhejms, edhe pse në shtëpi të huaj, përballoi mungesën e Entoni Dejvisit duke i dhënë fitoren Lejkërsave ndaj Hjustonit me shifrat 124-115. Kjo, falë një pjese të dytë të madhe.

Legjenda e NBA-së nuk realizoi dot një tjetër tripëll dabëll, por tregoi se përse është basketbollist universal, duke shënuar 31 pikë në 35 minuta, duke kapur 5 topa në tabela e sidomos duke shërbyer 12 asistë. Kësaj “menuje” i shtoi edhe 2 vjedhje topi. Xhejmsi kishte këmbëngulur që Kajl Kuzma të mos largohej nga Los Anxhelosi dhe drejtuesit e dëgjuan. Kuzma e tregoi veten në Hjuston me 23 pikë e 8 topa në tabela, duke qenë dinjitoz “në këmbë” të Dejvisit të dëmtuar.

Nuk mund të thuhet që yjet vendas nuk luftuan. Xhejms Harden pati 34 pikë, 6 topa në tabela e 7 asistë, por si shpesh gaboi në gjuajtje, ndërsa Rasëll Uestbruk realizoi 35 pikë, dhe iu afrua tripëll dabëllit me 9 topa në tabela e 7 asistë, plus 3 vjedhje topi. Ishte personaliteti i Lebronit dhe “regjia” e tij që i dha fitoren Lejkërsave që kryesojnë në Perëndim me 34 fitore e 8 humbje, ndërsa Hjustoni ka 26 fitore e 15 humbje, pra duke mos qenë në lartësinë e pretenduar.

Sfidanti.al