Lebron, do dëgjosh këshillën e Milerit e do braktisësh skuadrën?!

Një këshillë e pazakonshme iu bë Lebron Xhejmsit nga një prej legjendave të NBA-së, ish-yllit të Indiana Pejsërsit, Rexhi Miler. “Lonzo Boll mungon edhe një javë, Brandon Ingram u zgjua me dhimbje në shpatull, Kajl Kuzma doli nga ndeshja me dëmtim në kavilje, mendoj se është koha që Lebroni t’i japë fund sezonit”, ishte mesazhi i Milerit në Tuiter.

Nuk dihet nëse Lebroni do ta dëgjojë këtë këshillë, ndërsa Los Anxhelos Lejkërsat janë në një moment kur dështimi duket i sigurt. Skuadra nga Kalifornia është 4 ndeshje e gjysmë larg zonës plej of, kur mbeten edhe 18 ndeshje për t’u luajtur. Duket shumë e vështirë që gjërat të kthehen për mbarë, dhe Xhejmsi po luan mbi 40 minuta në sfidat e fundit, në përpjekje thuajse mbinjerëzore, por pa dobi. Jo vetëm kaq, por duket se mosha 34-vjeçare po ndikon. Puna arriti deri aty, që në derbin ndaj Klipersave, një shok i ekipit e qortoi Lebronin se nuk po mbronte siç duhet!

Sfidanti.al