Kontrata e re e Hamiltonit, anglezi shkon në mbi 650 milionë USD fitime!

Dy vjet më parë ai kaloi legjendën Mikael Shumaher duke arritur në një nivel fitimi në karrierë prej 489 milionë USD. Ljuis Hamiltoni këtë e bëri në fillim të vitit 2019 ndërsa po niste luftën për titullin e gjashtë botëror. Ish-piloti gjerman arriti në 464 milionë dollarë amerikanë, ndërsa Fernando Alonso, gjithashtu tepër i suksesshëm, u ngjit në nivelin e 458 milionëve. Kjo është treshja e podiumit të rrogave në Formula 1, me të tjerë si Fetel apo Raikonen që i ndjekin pas. Duket se Ljuis Hamiltoni do të firmosë kontratën e re me Mercedesin, me gjasë kontratën e fundit në karrierë, që do të jetë 3-vjeçare dhe me vlerë të përgjithshme 153 milionë USD, apo 120 milionë paundë stërlina. Kjo do të thotë 51 milionë USD në vit, pak a shumë rroga që ai ka marrë edhe më parë. Me këto shifra, 35-vjeçari do të ketë të sigurta gati 650 milionë USD në banka kur të jetë 38 vjeç. Gjatë kësaj kohe ai synon të fitojë edhe tituj të tjerë botërorë dhe të kalojë Shumin.

Sfidanti.al