Siti humbet 2-5, Guardiola ia vë fajin për humbjen … Leisterit!

Graem Sunes, ish-legjendë e Liverpulit, deklaroi pasi ndoqi masakrimin e “qytetarëve” se skuadra e Jurgen Klopit me gjasë do ta ketë shumë të lehtë që të mbrojë titullin. Nuk pati faj skocezi pasi Mançester Siti u shkatërrua 2-5 nga Leisteri në duelin e Premier Ligës, madje në “Etihad”. Edhe pse pa tifozë, sërish kjo ishte një katastrofë që tregoi shumë për gjendjen psikologjike të skuadrës së Guardiolës, por trajneri me gjasë është edhe më keq sesa lojtarët e tij.

Duke analizuar katastrofën, Pepi ia hodhi fajin për këtë … Leisterit. “Ne e vumë veten nën një presion ekstra (më të madh sesa normali) për të shënuar, në kohën që ata nuk deshën të luanin (futboll), – tha tekniku katalanas, – ne nuk po krijonim shumë raste për gol, dhe menduam se nuk po luanim mirë. Duhet të jemi më të qetë. Është e vështirë kur një skuadër mbrohet kaq në thellësi dhe nuk vrapon. Në të kaluarën, ndeshje të tilla i kemi fituar ngushtë, por sot humbëm. Nuk kemi lojtarë për të sulmuar në zonë”. Ndoshta, Siti ndjeu mungesën e sulmuesve tipikë si Aguero apo Gabriel Zhezus, që janë të dëmtuar, por pësimi i 5 golave nuk erdhi për faj të tyre. Duket se dobësitë në mbrojtje tek ish-kampionët vazhdojnë.

Sfidanti.al