Dramë në NBA, dy finalistët e mëdhenj u mundën në shtëpi!

Nuk do të thotë gjë që je kampion dhe nënkampion, dhe mund të fitosh, edhe kur luan në shtëpi. Në NBA ky rregull nuk respektohet gjithnjë dhe këtë e mësuar edhe një herë, Golden Stejti e Klivlendi. Uorriors u mposht në Arenën e vet, në Oklend, 127-132 nga Hjustoni, pas një përballjeje epike që kërkoi dy kohë shtesë për të përfunduar. Edhe pse Kevin Durant shënoi 39 pikë, edhe pse Drejmond Grin thuajse arriti një “tripëll dabëll” (20 pikë, 15 topa në tabela, 9 asistë), Golden Stejti nuk fitoi. Stefën Kërri, i ngarkuar me gabime personale, nuk luajti si zakonisht (edhe pse shënoi 28 pikë), dhe po ashtu Klej Tompsoni. Hjustoni pati një Xhejms Harden të madh, por edhe gjithë skuadrën që luajti shumë mirë. Harden e realizoi “tripëll dabëllin” me 29 pikë, 15 topa në tabela dhe 13 asistë, po 29 pikë shënoi Rajan Anderson dhe Erik Gordon shtoi 23. Golden Stejt mbetet në krye të NBA-së, gjithsesi, me 16 fitore e 3 humbje.
Edhe më e rëndë humbja e Klivelendit, në Pallatin e tij të Sportit. Los Anxhelos Klipers ia doli 113-94, pra me gati 20 pikë diferencë ndaj kampionëve, dhe Lebron Xhejms u paraqit vërtet dobët. Ai shënoi vetëm 16 pikë, dhe nuk bëri diferencën në tabela apo me asiste. Po 16 pikë shënoi edhe Kevin Lov, ndërsa Kajri Irving ishte pak megjithë 28 pikët e tij. Klipers pati kontribut thuajse nga çdo lojtar, ku u dallua Redik me 23 pikë, Xhordan me 15 topa në tabela dhe Grifin me 11 asistë. Klivlendi, gjithsesi, është në krye të Konferencës Lindore me 13 fitore e 4 humbje.