Tifozët e Arsenalit nuk duhet të kenë mbetur shumë të kënaqur, ndërsa ata të Realit me siguri kanë nisur të ëndërrojnë. Një nga lojtarët më të talentuar të botës mund të ndërrojë fanelë përsëri. Mesut Ozil është përfolur për një rikthim të mundshëm në “Santiago Bernabeu”, së bashku me talentin tjetër të larguar nga Ançeloti, Angel Di Maria. I pyetur nga gazetarët, mesfushori gjerman me origjinë turke, nuk deshi të gënjente.
“Të rikthehem në Madrid? – tha ai, – në futboll nuk i dihet asnjëherë. Gjithsesi, unë jam shumë i lumtur në një klub të madh si Arsenali, që ka tifozë të mrekullueshëm dhe më mbështesin shumë”. Zidan, trajneri i sotëm i Realit, është një nga idhujt e Ozilit, por ka edhe arsye të tjera.
“Në Madrid ishte gjithnjë kohë me diell, – tregon ai, – kam kujtime të mrekullueshme nga Spanja, nga klubi, nga qyteti dhe nga njerëzit. Ndonjëherë, kur rri dhe e mendoj, më merr malli”.