Zhoze Murinjo edhe mund të mos ta vinte re në tribunë, gjatë ndeshjes mes Junajtidit dhe Uest Hemit, në kuadrin e Kupës së Ligës, që “djajtë e kuq” e fituan bindshëm, por me siguri që ky trajner portugez i ka dëgjuar nga afër reagimet e tifozëve, ku në lojë u fut Bastian Shvainshtajgeri. Murinjo ka vendosur që “ta ngrijë” këtë futbollist mesfushor gjerman me përvojë dhe të mos mbështetet më tek ai, gjatë këtij sezoni, por, sikurse duket, këmbëngulja dhe mentaliteti gjerman i Shvajnit e detyruan atë (Murinjon) që lëkundet dhe t’i japë atij një shans tjetër në ndeshjen e lartpërmendur të Ligës së Kupës.
Shvainshtajgeri luajti në pesë minutat e fundit të ndeshjes me Uest Hemit, ndërkohë që kishte gati tetë muaj pa luajtur, por ajo që mbahet mend, është se ai u prit me ovacione të mëdha dhe duartrokitje të furishme nga ana e tifozëve që qëndronin në këmbë në tribunat e stadiumit dhe që e pritën kështu hyrjen e Shvajnit në fushë. Në një atmosferë të tillë, Murinjo mori edhe një mesazh thumbues nga i vëllai i lojtarit të madh gjerman, Tobi Shvainshtajger, që shkroi në profilin e tij në facebook: “Tifozët e njohin më mirë sesa…”, duke e shoqëruar këtë mesazh edhe më një video, ku tregohej Shvajni, duke hyrë në fushën e lojës.