Përfundon më në fund edhe derbi midis Tiranës dhe Partizanit. U deshën 20 orë dhe 31 minuta, për t’u luajtur në fushë dhe jashtë saj, nën ndriçimin e prozhektorëve dhe atë të Zotit, por në fund asnjë gol, ashtu si edhe në ndeshjen e parë, të zhvilluar në “Elbasan Arena”. Ndeshja nuk filloi nga mesi i fushës, por me rivënie fundore për Hoxhën, pikërisht aty ku u la mbrëmë, ndërkohë që në minutat e mbetura ishte Partizani që kishte më shumë iniciativë, ndërsa Tirana e kishte humbur agresivitetin gjatë natës dhe nuk e vunë asnjëherë në vështirësi portjerin e të kuqve.
I vetmi rast për t’u shënuar ka autor Bardhin, i cili zëvendësoi që në fillim Bathën, por futbollisti i ri i Partizanit, pasin e saktë të Vilës, zgjodhi ta devijojë në portë me finte dhe nuk e gjeti kuadratin. Dy minuta përpara vërshëllimës së fundit të Jeminit, bardheblutë mbetën me një futbollist më pak, pasi kapiteni Karabeci mori dy kartonë të verdhë për faulle taktikë, një kundër Ekuban dhe tjetrin ndaj Vilës. Si përfundim 0-0, ndërsa pjesa më e bukur e spektaklit ishin tifozët e të dy skuadrave, të cilët sërish ishin prezentë në “Selman Stërmasi”.