CSKA e Moskës – për herë të 15-të në play off nga gjithsej 16!

CSKA e Moskës, duke mundur në ndeshjen e fundit Gallatasarajin e Stambollit, u bë ekipi parë që i siguroi vetes biletën për në fazën play off të Euroligës. Para kësaj ndeshjeje, CSKA-ja ndodhej në vend të dytë me Realin e Madridit kryesues, me të njëjtin numër fitoresh. Për ekipe të tjerë vetëm pjesëmarrja në play off përbën në vetvete një sukses të madh, por jo për CSKA-në. Qëkur nga sezoni 2000-2001, Euroliga doli nga ombrella e Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit, FIBA, si rezulat i një konflikti financiar, ky ekip moskovit ka dalë 15 herë në play off nga gjithsej 16 të tillë.

E vetmja “ngecje” ndodhi në sezonin 2010-2011, kur CSKA-ja, në udhëheqjen e trajnerit malazez Dushko Vujosheviç, nuk mundi të dalë në play off, madje, duke zënë vendin e fundit në grupin katërsh. Kurse CSKA-ja e sotme është diçka krejt ndryshe. Vitin e kaluar, ekipi nën drejtimin e trajnerit Dimitris Itudis arriti një sukses të dyfishtë, duke triumfuar në Euroligë dhe ligën e bashkuar ËTB. Ekipi kuqeblu u bë ekipi më i fortë në Evropë, për herë të parë, pas tetë vitesh. Suksesin e këtij klubi të Moskës e ndihmoi mjaft edhe buxheti solid (CSKA-ja bën pjesë në treshen e ekipeve më të pasur të Evropës), pa përmendur basketbollistët e nivelit të lartë që ky ekip zotëron. Yjet kryesorë të CSKA-së janë luajtësi serb i topit, Milosh Teodosiç, dhe kolegu i tij francez, Nando De Kolo.

Teodosiçi që luan me klubin ushtarak të Moskës që nga viti 2011, u shpall, vitin e kaluar, basketbollisti më i mirë në Evropë. Nando De Kolo, nga ana tjetër, deri më 2014, u përpoq pa sukses që të zinte vend në NBA-në amerikane, duke luajtur me San Antonion Spurs dhe, më pas, me ekipin Totonto Raptors. Pasi dështoi që të luante ndonjë rol të rëndësishëm përtej oqeanit, ky basketbollist francez pranoi ofertën e CSKA-së dhe… u shndërrua në yllin kryesor të basektbollit evropian. Sezonin e kaluar, atij iu dhanë një serë titujsh individualë: “Lojtari më i vlefshëm i Euroligës”, “Lojtari më i vlefshëm i katërshes finaliste”, fitoi trofeun që mban emrin e Alfonso Fordit që i jepet basketbollistit më rezultativ të Euroligës, etj.

sfidanti.al