Britanikët, sulm ndaj francezit Alafilip në Turin e Francës!

Në qafat e Pirenejve ishte ditë angleze. Turi i Francës, që kaloi në vendet baske, nuk i ngjau shumë epokës heroike të Sharlëmanjës dhe Këngës së Rolandit, por u duk si marshimi i “grenadierëve” të Madhërisë së Saj, të kohës së Dukës së Uellingtonit. Fitues i etapës së 12-të, në finishin e Banjeres dë Bigorrë, i pari kaloi anglezi Sajmon Jejts. Djaloshi 26-vjeçar la pas në sprintin përmbyllës spanjollin Lopez de Armentia, dhe austriakun Gregor Mylberger.

Jejts nuk është se përmirësoi ndonjë gjë nga Turi i tij, pasi sërish është tepër larg kreut, në vend të 84-ët me mbi 58 minuta vonesë nga Fanela e Verdhë, por u bë një nga 20 çiklistët në histori që kanë fituar të paktën nga një etapë në tri garat e mëdha, Tur i Francës, Xhiro e Italisë dhe Vuelta e Spanjës.

Në vend të parë mbetet francezi Zhylien Alafilip, me 1’12” diferencë nga britaniku Xhereint Tomas, dhe 1’16” nga kolumbiani Egan Bernal. Një tjetër anglez, Adam Jejts, është në vendin e 7-të me 1’47” nga Bluza e Verdhë. Sot, në program është etapa individuale me kronometër në Po (Pau), e gjatë 27.2 km, pra tepër e shpejtë. Nuk dihet nëse Alafilip do të jetë në gjendje ta mbajë Fanelën e Verdhë, apo anglezët Tomas apo Jejts, plus kolumbiani Bernal do ta kalojnë. Është një ditë e rëndësishme, pasi shënon fiks 100-vjetorin e Fanelës së Verdhë, simbolin e kryesuesit dhe fituesit të Turit të Francës.

Sfidanti.al