Çfarë nuk po shpik Barça për Nejmarin, një “pjatë” me 6 emra!

Fantazia e njeriut shpesh nuk ka kufi, ndërsa ajo e drejtuesve të një klubi futbolli, sidomos e njerëzve që merren me transferimet, mund të krijojë kombinime nga më të habitshmet. Kështu edhe dyshja e “kompetentëve” të Barcelonës, e përbërë nga Pep Segura dhe Albert Soler, por edhe nga shefi ekzekutiv, Oskar Grau. Pasi Paris SG u refuzoi “trokitjen” e parë në portë për Nejmarin, katalanasit krijuan kombinimin e dytë: Një listë prej 6 lojtarësh, nga të cilët PSG do të zgjidhte dy, plus 100 milionë euro (nga 50 milionë që u dhanë më parë). Në listë janë emrat e Filip Kutinjos, Usman Dembelesë, Ivan Rakitiçit, Nelson Semedo dhe Malkom, ndërsa është edhe një lojtar tjetër, emri i të cilit nuk është mësuar ende.

Parizienët kanë pranuar se Nejmari mund të largohet, madje që do të largohet, por kanë këmbëngulur se kjo do të ndodhë vetëm nëse oferta do të jetë ajo e duhura. Synimi i presidentit Al Helaifi, dhe i drejtorit të ri sportiv, Leonardo, është të rikuperojnë 222 milionë eurot e shpenzuara për Nejmarin në 2017, ndërsa Barça ofron deri në 100 milionë, plus dy lojtarë. Oferta e dytë është e mirë, sepse PSG mund të zgjedhë Kutinjon e Dembelenë, që i kushtuan shtrenjtë katalanasve. Në “Kamp Nou” kanë edhe një kusht, që pagesa e plotë të përfundojë në 2020, pasi ata duan të jenë në rregull me Lojën e Ndershme Financiare të UEFA-s.

Sfidanti.al