Antetokumbo gjithnjë e më shumë numri 1 i sezonit, ashtu si Miluoki!

Çfarë mund t’i thuash një ekipi basketbolli ku shënojnë pikë plot 11 lojtarë? Edhe në ligën më të fortë të botës, në NBA, diçka e tillë bën diferencën, edhe pse meritën kryesore gjithnjë e ka ai, Janis Antetokumbo. Legjenda e gjallë (dhe e re) e basketbollit shkëlqeu fort edhe në fitoren në sfidën jo edhe aq të lehtë ndaj Filadelfias. Skuadra nga Qyteti i Pavarësisë erdhi në Miluoki me “breroren” e një rivali të fortë në NBA, udhëhequr nga Zhoel Embiid, por që duhej të tregonte veten edhe jashtë fushe. Në Miluoki nuk arriti ta bënte.

Antetokumbo luajti vetëm 29 minuta, shënoi 31 pikë, kapi 17 topa në tabela e shërbeu 8 asistë. Pranë një tripëll dabëlli, që nuk ka qenë elementi i tij më i fortë. Gjithsesi, loja e fortë në mbrojtje dhe dominimi i të dyja tabelave e bëjnë kandidatin kryesor për të fituar sërish çmimin si Lojtari më i mirë i sezonit, siç bëri edhe vjet.

Jo më kot, Antetokumbo ka 57.9 pikë mesatarisht për ndeshje këtë edicion, duke qenë në vend të parë, me Xhejms Hardenin të dytin me 57.5 dhe Luka Donçiçin të tretin me 52.8. Midëllton shtoi 25 pikë ndaj Filadelfias, plus 9 topa në tabela dhe vendasit triumfuan thellë 119-98. Erik Bledsou ashtu si përherë, nuk zhgënjeu as këtë radhë, dhe Miluoki udhëheq renditjen e Konferencës Lindore si dhe të gjithë NBA-së, me 48 fitore e 8 humbje.

Sfidanti.al