Fitore me “brekë nëpër këmbë”, konflikte, përjashtime, ç’ndodh tek PSG?!

Suksesi i fundit e afroi edhe më shumë titullin në Ligën franceze, por ç’e do? Kush pyet që Paris SG triumfon në kampionatin francez, që duket si një liqen për një aeroplambajtëse të ndërtuar për të çarë nëpër oqeane? Gjithsesi, edhe fitorja ndaj Bordojë ishte e tillë që u përjetua si humbje. Shifrat ishin 4-3, arritur me mundim tepër të madh, me përmbysje dhe me aktivizmin e të gjithë yjeve, si Nejmar, Mbape, Kavani apo Ikardi. Të gjithë këta shënuan me përjashtim të Nejmarit që mori karton të kuq, pra u përjashtua.

Duket se vazhdojnë ethet për një ekip që nuk e di se duhet të jetë ekip, dhe për një grup lojtarësh që më shumë interesohen për llogaritë e tyre bankare, popullaritetin në rrjetet sociale dhe festat, e po ashtu edhe për një të ardhme larg Parisit për disa prej tyre (Nejmar, Mbape). Nejmar jo vetëm mori të kuq të merituar, por protestoi ndaj arbitrit dhe u desh ndërhyrja e Mbapesë për ta larguar. Vetë Mbape u duk se pati debat verbal me shokun e tij të skuadrës, Markinjos, shënues i dy golave.

Festa pas humbjes në Dortmund për Championsin, nuk la shije aspak të mirë tek tifozët, po ashtu edhe tek trajneri Tomas Tuhel. Gjermani nuk e kafshoi aspak gjuhën dhe, të paktën, pati burrërinë që e tha hapur mendimin e tij. Kur gjithçka është një sekret i hapur, Tuheli nuk ka pse kujdeset për të mos nxjerrë të palarat e shtëpisë në pazar. “U habita shumë për këtë video, – u shpreh ai, – kjo gjë më çuditi. Të jeni të sigurt se ne në klub biseduam për këtë gjë, por se çfarë u tha aty, unë nuk mund t’ua them”.

Sfidanti.al