A do të ketë sfidë Mejuedhër-Mekgregor? Dëgjoni amerikanin!

Do të ishte si një përballje e tigrit me luanin. Flojd Mejuedhër është ftuar në ring nga kampioni i arteve të përziera marciale (MMA), Konor Mekgregor. Irlandezi, kampion i botës në kampionatin UFC, ka deklaruar se dëshiron ta sfidojë amerikanin e peshave të mesme të boksit, duke shtuar natyrisht fjalët që “dua t’ia bëj turinjtë përshesh”. Mejuedhër nuk është nga ata që lejon aq lehtë dikë “t’ia bëjë turinjtë përshesh”, veçse këtu kishte një problem. Mejuedhër është tërhequr nga boksi profesionist që pas ndeshjes së tij të fundit në shtator 2015, pra një vit e gjysmë më parë.

A do t’ia mbante veteranit të ringut, tashmë “të pensionuar” (siç thonë kosovarët), përballë një kampioni të freskët dhe në aktivitet? Mejuedhër e ka dhënë përgjigjen. “E kam ftuar Mekgregorin që të ndeshemi bashkë, – tha ai në një bisedë në një studio televizive, – i kam ofruar 15 milionë dollarë, por nuk gjetëm gjuhën e përbashkët tek paratë”. Një person me formimin e Mejuedhërit e ka dollarin si “kryefjalën” e jetës së tij, ndaj kjo lloj mosmarrëveshje nuk mund të zgjidhet.

“Konor Mekgregor thotë nga të gjitha anët se dëshiron një ndeshje me mua, – tha Mejuedhër, – le ta bëjmë këtë ndeshje. Unë e kam numrin tim të fiksuar, 100 milionë dollarë. Ne i ofruam atij 15 milionë dollarë. Ne jemi skuadra kryesore (e boksit). Unë nuk e di sesa para ka fituar ai, por jam i sigurt se nuk ka fituar dot 2 milionë dollarë në një ndeshje të UFC-së”. Të shohim nëse do të ketë bisedime të tjera.

Sfidanti.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *