Rrëzohet polici qeshim të gjithë , rrëzohet futbolli ..as një pikë loti !

Do qeshim apo do qajmë për ato që ndodhin frikshëm në ndeshjet e Superligës? Skena e një polici që vrapon për të kapur tifozin, por që rrëzohet duke mbetur i shtrirë në fushë, ka shkaktuar shumë të qeshura. Rrëzohet polici qeshim të gjithë, ndërsa kur rrëzohet futbolli, duke thyer kokën bile, as nuk na shkon mendja për të qarë. Madje sipas stilit tonë , ku futbolli si çdo gje është një univers gallate, mund të bëhet edhe një reklamë kontraverse ku të predikohet se tifozët i kanë gjunjët më të fortë se policët! Kjo ka ndodhur në ndeshjen Tirana me Kukësin, ku për disa minuta, disa nga tifozët e Tiranës zbritën në fushë, rrëmbyen “pushtetin” e brishtë të lojës dhe nisën një gjueti të pafre ndaj futbollistëve. Atyre që edhe pse kanë zhgënjyer më shumë se të gjithë brezat bashkë, siç thuhet me zemërim nga tifozët, prapëseprapë, kjo që ndodhi ishte një blasfemi sportive..

Të gjithë vraponin në “Selman Stërmasi”: njëra palë për t’i shkulur fanellën nga trupi futbollistëve , pala tjetër, viktimat me uniforma, futbollistët ose “proletarët” e përkëdhelur, ia mbathnin për të shpëtuar lëkurën më shumë se sa fanelën. Ndërsa pala e tretë, policët, të cilët i kemi lënë enkas jashtë stadiumit, për të eksperimentuar se deri ku shkon rreziku për jetën pa praninë e tyre. Skena e përjetuar në ato pak minuta puçiste, dukej sikur i përkiste një filmi pa kohë, ku trazohej në mënyrë mëse shqiptare mesjeta me kohën moderne. Po e menaxhojmë aq me marifet spektaklin e dhunës, sa në mbrëmje shpëlajmë sytë dhe shpirtin me ndeshjet e Championsit, pa patur frikë se ajo që ne trukojmë si futboll është më shumë një lloj halluini i përjavshëm, ku gjaku është i vërtetë dhe jo i pikturuar..

Gëzim Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport