Protesta e “importuar” nga Bjellorusia, futbollin e dërgojnë përpara kryeministrisë

Pikërisht sot ishte dita kur duhet të fillonte kampionati i Kategorisë Superiore, ndërkohë që nga vetë klubet është vendosur për një bojokot, i cili mbi të gjitha nuk as datë të përcaktuar se kur duhet të përfundojë. Ndërkohë që historia e firmosjes unanime të protestës së madhe është vërtetë spektakolare. Të gjithë presidentët e skuadrave të Superiores u ftuan nga Duka, për të ndjekur ndeshjen hapëse të Ligës së Kombeve që do të luhej në Minsk të Bjellorusisë, gjë që u duk si një ftesë e tij, për sakrificat e tyre ekstreme në këtë periudhë pandemie. Në fakt nuk flitej për një ftesë mirënjohje, por për një axhendë që në fund u respektua nga të gjithë. Pikërisht në vendin e protestave të mëdha, presidentët tashmë të mbledhur në një Ligë, vendosën për protestën më të madhe të futbollit shqiptar… bojkotin pa afat të kampionatit. Dhe një të tillë, pa afat, nuk ka pasur më parë as në raste ekstreme, qoftë edhe kur dhuna ka dalë fare jashtë kontrollit.

Kështu, pas kthimit nga Bjellorusia, duket se topi është shtyrë për nga porta e kryeministrisë, ku titullarit të këtij institucioni i kërkohen në mënyrë ultimative ndryshime rrënjësore të ligjit të sponsorizimeve, faljen e gjobave dhe kamat vonesave për detyrimet fiskale të klubeve, ndërkohë që kërkohet përjashtimi për një periudhë 10 vjeçare i futbollistëve nga tatim fitimi mbi të ardhurat personale, një privilegj që nuk e gëzojnë as minatorët, të cilët “fushat” e tyre i kanë në zemër të tokës. Ndërsa sot, Liga do të mblidhet sërish, këtë rradhë në Tiranë dhe do të caktojë një grup që do të negociojë me qeverinë, por askush nuk e vret mendjen, se sa më shumë zgjatet bojkoti, aq më i madh do të jetë dëmi mbi vetë futbollistët. Personalisht nuk do të përfitojnë asgjë nga kërkesat e hartuara, ndërsa kalendari do t’u ngjeshet deri në një fund torturues… Ndërsa Duka nuk do të jetë më aq i dashur, sa për të vazhduar duke shpërndarë ftesa mirënjohje apo bashkëpunimi.