Cristiano Ronaldo ka mbetur në stol gjatë gjithë ndeshjes për herë të parë pas 18 vitesh, teksa Portugalia triumfoi 2-1 ndaj Norvegjisë në Ligën e Kombeve. Kapiteni 41-vjeçar nuk u aktivizua fare nga trajneri Jorge Jesus, ndërsa pas përfundimit të takimit ai shkoi menjëherë në dhomat e zhveshjes dhe nuk iu bashkua bashkëlojtarëve për të përshëndetur tifozët portugezë që kishin udhëtuar drejt Norvegjisë. Jorge Jesus tha se nuk e kishte parë largimin e hershëm të Ronaldos, por konfirmoi se do të zhvillojë një bisedë private me të për përgjegjësitë që i takojnë si kapiten i Kombëtares. “Nuk e pashë që u largua më herët. Do të flas me të privatisht për përgjegjësitë e tij si kapiten”, u shpreh trajneri portugez. Jesus mbrojti gjithashtu vendimin për të mos e aktivizuar Ronaldon, duke shpjeguar se mënyra se si po zhvillohej ndeshja nuk kërkonte një sulmues me profilin e tij. “Vetëm pse ai nuk luajti, nuk do të thotë se nuk e llogaris”, deklaroi ai. Pavarësisht se nuk luajti ndaj Norvegjisë, Ronaldo vazhdon të jetë pjesë e planeve të Portugalisë dhe pritet të jetë në dispozicion për ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve ndaj Danimarkës.

