Përse luajmë kundër Izraelit? Një zë vjen nga porta, jo nga De Biazi

Qënka trembur Kombëtarja nga breshëri kur ka qënë duke u stërvitur, miqëpo fjalët e portierit Berisha  i çojnë më afër asaj shprehjes së njohur popullore “ranë nga shiu në breshër”.  Nga porta jonë, pikërisht nga vendi ku u ngujuam me Spanjën, vjen një frazë sulmuese, që shkon përtej kurajos klasike të ekipit kuqezi: “ Nuk ia vlen të luash për vendin e tretë. Kur luan në një grup për eliminatoret e Botërorit, ose kualifikohesh, ose s’kualifikohesh. Vijmë nga Franca dhe nuk mund të synojmë vendin e tretë”.

Nuk do t’i kenë pëlqyer këto fjalë, trajnerit De Biazi, ngaqë, zakonisht, futbollistët e Kombëtares kanë një stil të unifikuar kur shfaqen në intervista. Shpesh, me humor, dëgjohet “ kanë një kasetë të gatshme para ndeshjeve”. Ato që tha Etriti janë si drita e diellit, bile na kishte marrë malli për një “gol’ , ku topi para se të shkojë në portën e izraelitëve, ka marrë drejtim nga “porta” e De Biazit. Prej muash, trajneri kishte fabrikuar një psikozë tjetër në opinion: “ Luajmë kundër Izraelit në finalen e vendit të tretë, që është edhe objektivi ynë”.  Berisha nuk mendon kështu. Ndaj edhe e godet aq fortë topin para ndeshjes, sa bën “gol” nga porta në portë.