Ngjyrat e kampionatit

Gara e futbollit superior në Shqipëri ka vetëm tre javë që ka filluar zyrtarisht dhe siç mund të ndodhë kudo, ende jemi të hutuar, në përpjekjet tona për të kuptuar se çfarë do të mund të shohim realisht gjatë këtij edicioni. Dhe këtu është fjala për futbollin në kuptimin real të fjalës, jo për shfaqe të tjera që këtë sport e kanë pjesë të skenarit, pasi në këtë rast nuk kemi arsye pse të përpiqemi të kuptojmë. Fillimi është gjithsesi shumë premtues, pasi është sofistikuar ndjeshëm edhe mënyra e organizimit të aktivitetit, nga ata që kanë të drejtën eksluzive të të ofrojnë futboll, ose të ta heqin këtë të drejtë. Deri tani janë luajtur vetëm 270 minuta lojë, por që përpara se ato të konsumoheshin, u lëshuan një mori postjerësh mediatikë, të cilët menjëherë sapo mbyllën ditët e plazhit na garantuan se do të ndjekim një kampionat si kurrë më parë. Ata na u betuan që po na pret një mrekulli dhe ne nuk mund të jemi aq të pashpirt sa të mos i besojmë, por gjithsesi, një analizë modeste me kokën tonë edhe na lejohet, aq më shumë kur nuk sjell dëme anësore. Përgatitja e sezonit nga klubet pjesmarrëse në aktivitet ka një ngjashmëri identike me sezonet paraardhëse. Si shpeshherë, FSHF-ja ka qenë e detyruar ta shtyjë kampionatin, pasi më shumë se një klub nuk kishte paguar detyrimet vjetore të pjesmarrjes, ndërkohë që Kategoria Superiore përbëhet vetëm nga 10 skuadra. Ndërsa për paradoks, prania në merkato është shoqëruar me një pasion të jashtëzakonshëm, deri në histerizëm. Vetëm këtu mund të ndodhë, që si pasojë e një mungese të dhimbshme profesionalizmi ndërtohen skuadra nga e para në prag të çdo sezoni. Ekipe të ardhura nga një kategori më poshtë, nuk patën më respekt për ata që i sollën, duke kontribuar në fushë dhe pankina, por ua fshinë emrin sikur të kishin mbaruar shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe po të njëjtat uniforma ia dhanë një ushtrie të re. Gjatë ditëve të nxehta u kthye në një lloj gare 24 orëshe për t’u ndjekur, se cilin futbollist do të prezantonin nëpërmjet shtypit dibranët apo gjirokastritët, madje kur kjo ndonjëherë nuk ndodhte, na u prishte dita. Ndërkohë që ata janë të detyruar të luajnë larg shtëpive të tyre, sepse nuk i kanë të gatshme stadiumet për arsye të ndryshme. Pikërisht për infrastrukturën ia vlen të bëhesh histerik për të gjetur burimet financiare, pasi të shpenzosh pa kriter duke qenë nomadë është e sigurtë që do të kesh vetëm 0% shanse për një të ardhme të suksesshme. Ndërsa nga ana sportive, Korabi mund të investonte për të mbajtur Sindrit Gurin dhe tani ndoshta do ta kishte ndonjë gol të shënuar.

Mbi 50 të huaj për 10 skuadrat e Superiores

Shikoni se sa të ngjashëm jemi vit pas viti: Në 10 skuadra Superiore, vetëm 2 e nisin kampionatin me trajnerët që mbyllën të kaluarin. Por jo vetëm kaq, pasi mjafton të shohësh listën e federimeve dhe do të vësh re se janë prezentë 54 futbollistë të huaj, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga skuadra modeste, apo nëpërmjet CD-ve të ofruara nga menaxherë me integritet të dyshimtë dhe që për më tepër nuk tregojnë me korrektësi as formën e tyre të tanishme. E gjitha kjo është kosto që rëndon mbi futbollistët shqiptarë të rinj në moshë, për të cilët prindërit paguajnë në ekipet e moshave, me raste edhe mbi mundësitë e tyre dhe kur mbërrijnë në moshën për të shpresuar një ekip të parë u përplasin derën në fytyrë. Të bardhë, të zinj, të verdhë, nuk ka tokësorë si Avatari, se herët a vonë do ta kishim edhe atë ngjyrë që na mungon. Lloj-lloj gjuhësh të çuditshme dhe në të paktën 80% të rasteve nuk bëjnë dot diferencën me këta tanët që po na i nëpërkëmbin. Pra nuk është se po i përflasim për ksenoifobi, se sa për këtë ne jemi kampionë të tolerancës, madje deri në ksenomani. Ka qenë një futbollist serb që vjet pati guximin t’i drejtohej me tre gishta (simboli çetnik) tifozerisë pikërisht në stadiumin e Kukësit, qytetit që priti gjysmën e Kosovës në kohën e masakrave serbe dhe asgjë nuk e gjeti, madje tani është transferuar në Vlorë dhe kalon çdo ditë te Sheshi i Flamurit. Do të isha kurioz të dija se kur mund t’i vijë rradha një futbollisti shqiptar të luajë në kampionatin serb? Ndoshta kur një hebre të luajë në Iran… por nejse, kjo është një tjetër temë. Të gjithëve ju kujtohet një iniciativë e tanishme e pjesës më të madhe të presidentëve të klubeve, të cilët lobuan për një numër pothuajse të pa limituar futbollistësh të huaj, midis tyre edhe ata që kishin borxhe të prapambetura dhe u bënë shkas për shtyrjen e aktivitetit. Fal Zotit, Federata nuk e pranoi një kërkesë të tillë të çmendur. Për të qenë pozitivist duhet uruar që futbollistët e Partizanit, të transferuar nga Sudtirol (një skuadër e Liga Pro në kampionatin italian dhe që na u bë e njohur falë trajnerit Sormani) të shkojnë sa më mirë, por ne gjithmonë do të na interesojë më shumë Ramadani, Fili, Bardhi. E dini se kush ishte një ndër futbollistët më të spikatur të kësaj javë, në mos numri 1? Afrim Taku i Tiranës, i cili vinte nga Amerika pa luajtur zyrtarisht futboll për një vit të tërë. Talenti, mentaliteti, këmbëngulja dhe dëshira e tij mjaftojnë për t’i dhënë kuptim këtij kampionati, por është e vështirë që në grupin e 54 të huajve që i kemi tashmë, të gjesh vetëm disa me cilësi të njëjta. Pas ndeshjes së humbur në Shkodër, trajneri Magani tha se lojtarëve të tij u mungonte fare dëshira, por edhe përgatitja… dhe ai është te Flamurtari, ku ka një komunitet me 10 apo 11 të huaj.

Një kampionat fare jashtë vëmendjes

Edhe diçka tjetër tmerrësisht e ngjashme me vitet e fundit, pavarësisht stuhisë publicitare që është bërë gati agresive. Futbolli në Shqipëri e ka aq të kufizuar vëmendjen e institucionit që e drejton, saqë i duhet vetëm ta fillojë dhe ta përfundojë një edicion, edhe ky pasi është një kusht i vendosur nga ndërkombëtarët. Ndërsa Kombëtarja që është gjithmonë e importuar ka nevojë për një përkujdesje të veçantë, madje edhe investime deri të palogjikshme, pasi është vetëm ajo që të garanton privilegje të tilla, si shëtitje me autobus kabriole, marshime si tiumfator në mes të Tiranës, të jep mundësinë të shkelësh herë pas here mbi tapet të kuq, por edhe të gjitha llojet e tjera të përfitimeve. Por nëse brenda gardhit tone u luajt ndershëm, apo u korruptua gara, u ble, apo u shit, kjo nuk është fare e rëndësishme, pasi për gjithçka ata burrat e rëndë kanë mësuar edhe të heshtin me arrogancë, ndërkohë që kanë ngritur një perde mediatike autoçensure, që e përdorin si “jelek antiplumb”. Dhe kështu, nëse e pyet trajnerin De Biazi, se pse nuk e sheh ndonjë ndeshje të kampionatit tonë në stadium, të kthen gjithmonë të njëjtën përgjigje fyese: “Kam blerë dekoder dhe i shoh nga shtëpia në Itali”. Pra për të është njëlloj, si të jesh tifoz që pret ndonjë gol të Vllaznisë dhe si të jesh trajner dhe të shohësh teknikisht të gjithë fushën. Më kujtohet kur ndonjë i guximshëm e pyeste dikur, se pse nuk e shihte një herë me vëmendje atë Bernard Berishën (në kohën kur shkëlqente tek Skënderbeu) dhe përgjigjia ishte një buzëqeshje ironike e shoqëruar me një vështrim si për t’i bërë të ditur të tjerëve, që ky i shkreti paska pësuar ndonjë traumë dhe qenka i pashpresë. Ky Bernardi që e vlerësonin thjeshtë si një futbollist kampionati dhe vetëm kaq ka luajtur 160 ndeshje në nivel Superiore dhe ka shënuar 25 gola, tani luan në kampionatin rus dhe ishte ndër më të mirët për Kosovën në transfertën e Finlandës, por nuk meritonte të ishte as zëvendësuesi i Lenjanit, që ka luajtur vetëm 79 ndeshje në nivele të larta dhe kohët e fundit shpesh ka qenë fare pa skuadër. Rrahmani ka luajtur që 19 vjeç si mbrojtës qëndre tek Partizani dhe tashmë është transferuar te një skuadër e madhe si Dinamo e Zagrebit, por u zbua nga grumbullimi i Francës, megjithëse Cana i kishte ditët e fundit në Kombëtare. Edhe ai tani pjesë e Kosovës, ndërsa Sabien Lilaj, apo ndonjë tjetër u zhduk fare nga lista e preferencave. Pra megjithë këto ngjashmëri, a duhet t’i besojmë fushatës së shfrenuar, sipas të cilës është e sigurtë që do të kemi mundësinë të ndjekim një kampionat të paparë? Unë kam tendenca ta besoj, le që më pëlqen jashtëzakonisht ajo pjesa e spotit, ku me përkëdhelje thuhet: “Një produkt që po e rrit performancën”…

Saimir Demi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *