Bushi apo Bogdani? E di vetëm “mbreti” emrin e trajnerit…

Gjithë këto vitet e despotizmit sportiv të presidentit Duka, sa herë që largohet një trajner i Shpresës apo i Kombëtares, sikur kemi rënë në grackën e lojës hileqare të shefit, duke hamendësuar pasuesin e Jupit. Canaj apo Bushi? Bushi apo Bogdani? Bushi apo…? Një spektakël pa lojtarë në fushë, por plot me emra në letër.  Një mister i madh për një ekip të vogël, një ekip që bëhet më i rëndësishëm kur nuk ka trajner, sesa kur ai është në stol dhe ndihet i braktisur nga shefat që rendin vetëm pas “shqiponjës së madhe”.

Cili do të jetë trajneri? Shumë trajnerë kanë prishur gjumin, por dy emra dominojnë skedinën imagjinare , Bushi dhe Bogdani. Dy ish-bomber të Kombëtares, që fati, një ditë, i ndërseu në garën e golit kuqezi. Nëse trajneri mban emrin e njërit prej tyre, pasi shef Duka edhe mund të driblojë në këtë trill emrash, një skemë zbulohet: kemi patur trajner një ish-mbrojtës, Skënder Gegën, një mesfushor, Redi Jupin, dhe më së fundi..arritem tek sulmuesit, qoftë Bushi apo “Bogu”.  Ata që nuk besojnë tek fundi i filxhanit të futbollit, të paduruar për të gjetur misterin e stolit, duken sikur kanë hyrë pa trokitur në kokën e shefit dhe kanë zbuluar emrin e.. Alban Bushit.

G.S

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *