Suarez-Mesi, dyshja magjike shpëton sërish Barcelonën!

Një Inter i madh kthehet duarbosh nga “Kamp Nou”. Antonio Kontes do t’i jetë dukur vetja si Napoleoni që u tërhoq i mundur nga Moska, veçse këtë herë nuk prishi punë dimri rus, por dyshja magjike Luis Suarez-Lionel Mesi. Edhe pse Barcelona nuk po mundet të ketë treshen e ëndrrave, MSG, i mjafton një MS për të fituar ndeshjet. Skuadra italiane kaloi e para në epërsi, në duelin e Championsit, kur Lautaro Martinez tregoi instinktin e tij vrasës në zonë, po ashtu pati raste të tjera për të dyfishuar rezultatin, dhe u ndëshkua që nuk ia doli.

Kur Lionel Mesi është në fushë, sidomos që nga fillimi, dhe kur ai është në formë, atëherë çdo gjë mund të pritet. Heroi i golave ishte Suarez, autor i dy rrjetave, por aksioni i kapitenit në minutën e 84-ët ishte për “katalog”.  Mediat spanjolle lavdëruan dyshen e shkëlqyer, por edhe trajnerin Valverde që ndikoi me zëvendësimet e tij. “Më në fund, Valverde e ndryshoi një ndeshje”, ishte titulli i “Markës”. Sa për Interin, pozitat i ka të vështira pavarësisht paraqitjes shumë të mirë në “Kamp Nou”. Me vetëm 2 pikë, është pas Dortmundit e Barcelonës që kanë nga 4.

Sfidanti.al