Nga Paderborni tek Totenhemi, sa shumë uri për tituj tek Bajerni

Pas fitores shumë të vështirë fundjavën e kaluar në Bundesligë, pati jo pak kritika për yjet bavarezë. Paderborni i vogël u mund 3-2, dhe mbrojtja tregoi dobësi, e kjo bëri që kryesimi i kampionatit të mos kishte shkëlqimin që pritet. Gjithsesi, erdhi mbrëmja e së martës në Londër dhe gjithçka ndryshoi. “Ne dhamë përgjigjen e duhur, – tha Xhoshua Kimih, – pas Paderbornit folëm me njëri-tjetrin dhe premtuam se do të ishim ndryshe”.

Hasan Salihamixhiç, drejtori sportiv, e vlerësoi lart Kimihun. “Ai foli para ekipit dhe mua më pëlqejnë lojtarët që flasin me ekipin, – tha boshnjaku, – ai dha përgjigjen e duhur, dhe ai dëshiron që të fitojë”. “Duhet të jemi konkurrues jo vetëm në Gjermani, por edhe në Europë”, – thekson Kimih. Kapiteni Manuel Nojer, po ashtu është i lumtur. “Mbrëmje e madhe për ne, – u shpreh portieri, – nuk është gjë e vogël të fitojmë kështu në fushën e një ekipi të madh europian”. Niklas Zyle i ra shkurt duke deklaruar se “ne duam gjithnjë e më shumë, pas dy titujve vjet, duam tre tituj këtë vit”.

Sfidanti.al