S’ka reformë të energjisë në Brazil, “Marakana”, 1 milionë dollarë borxh!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, besohet se do të habitet shumë nëse do t’i thonë se një stadium në Brazil ka … 1 milionë dollarë energji elektrike pa paguar. Me siguri, do të mbetet fare pa mend kur të mësojë se bëhet fjalë për një nga stadiumet më të famshëm të botës, “Marakanën”. Impianti legjendar që ka pritur futbollin që nga Botërori tragjik i vitit 1950, sot është në gjendje edhe më tragjike. Një detyrim prej 1 milionë dollarësh, i papaguar prej muajsh, bëri që OSHEE-ja braziliane (pak rëndësi ka emri), t’ia priste furnizimin dhe të deklaronte se dritat nuk do të kthehen derisa të jepen paratë.

Borxhi nisi që nga Lojrat Olimpike dhe autoritetet thonë se një pjesë e detyrimit është e organizatorëve të Olimpiadës pasi “Marakana” priti ceremoninë e hapjes, atë të mbylljes dhe disa ndeshje futbolli. Padyshim, duhet të ketë edhe borxhlinj të tjerë, ndonëse ende nuk dihet nëse ka hyrë njeri në burg për këtë (në Shqipëri thuhet se çdo ministër duhet të ketë burgun e vet).

Që nga muaji tetor, në stadiumin legjendar ku luajti Peleja nuk zhvillohet më asnjë ndeshje. Qindra stola janë vjedhur, po ashtu pjesë të fushës me bar artificial anash fushës kryesore, vetë fusha e madhe është kthyer në ngjyrë të errët ngaqë mungesa e energjisë ka bërë që të mos ketë ujë. Nuk dihet se kur do të kthehet të shkëlqejë stadiumi i ndërtuar në lagjen popullore Tihuka, dhe që e ka marrë emrin nga gjuha e vendasve të lashtë, të cilët “Marakana” i thoshin një lloj papagalli.