Shtatë lojtarë mangut, por Pirlo do fitoren e Juventusit në Veronë!

Një situatë thuajse e njëjtë me atë të Realit, me dëmtime të shumta, por edhe me faktin se sidoqoftë janë skuadra që kanë organikë të madhe dhe deri diku e përballojnë vështirësinë. Juventusi i Andrea Pirlos i ngjan Madridit të Zinedin Zidanit, pasi do të ketë 7 mungesa për ndeshjen e kësaj të shtune (20:45) në fushën e Veronës, ndërsa “merengesit” patën 9 të tilla në duelin me Atalantën në Champions.

Pirlo kërkon një tjetër fitore në Serinë A, për të vazhduar rrugën drejt kreut e për të mbajtur gjallë shpresat për mbrojtjen e titullit për herë të 10-të radhazi. Mungesat do të jenë Kuadrado, Artur, Bonuçi, Kielini, Dibala e Morata me dëmtime si dhe Danilo i pezulluar. Me shumë gjasë, i riu Dragushin do të jetë në treshen e mbrojtjes bashkë me De Ligtin e Demiralin. Për fat, Kristiano Ronaldo është e bashkë me të do të luajnë Kulushevski e Kieza në fazën ofensive, si dhe lojtarë si Mekkeni, Betankur, Rabio e Aleks Sandro.

“Pres një ndeshje të vështirë, – shprehet Pirlo, – Verona luan si Atalanta, të bën presion të madh, është e fortë fizikisht dhe në duelet një për një. Lojtarët e saj vrapojnë shumë. Duhet të jemi gati”. Trajneri thekson se nuk ka rikuperuar asnjë të dëmtuar, se Dragushin mund të jetë titullar, por kështu mund të ndodhë edhe me Bernardeskin. Shqetësimi më i madh për të është lodhja e lojtarëve sepse për shkak të dëmtimeve, po luajnë vazhdimit të njëjtët emra. Juventusi ndodhet në vendin e tretë në Serinë A me 45 pikë ndaj 49 të Milanit e 53 të Interit, ndonëse kampionët kanë luajtur një ndeshje më pak.

Sfidanti.al