Reali vendos rekord botëror për Hazarin, pas “magjisë” së Granosvkajës

Zakonisht janë burrat ata që vendosin në futbollin profesionist, veçse këtë herë rekordi i dy klubeve u përcaktua nga një grua. Është ruse me kombësi, kanadeze me nënshtesësi, ndërsa zyrën e ka në stadiumin “Stemford Brixh” të Londrës, tek Çelsi. Marina Granovskaja, shefe ekzekutive e bluve, dakordësoi transferimin e Eden Hazarin tek Reali, vendosur mbi bazën e 130 milionë paundë stërlinave (llogaritur bashkë me shpërblimet e ndryshme), që do të thotë gati 150 milionë euro.

Kjo u cilësua si një sukses i jashtëzakonshëm, sepse kontrata e supertalentit belg përfundonte verën e ardhshme, dhe në raste të tilla vlera e kartonit bie ndjeshëm. Gjithsesi, Granovskaja këmbënguli, duke i kujtuar Realit rrezikun që Hazar të luante për ndonjë klub tjetër që paguante më shumë. Talenti i ruses 44-vjeçare tregohet qartë nga negociatat me Xhon Terrin disa vjet më parë, kur kapiteni nuk pëlqeu kushtet financiare. “Merri ose lëri”, – ishin fjalët e Marinës.

Kështu Eden Hazar do të jetë në “Santiago Bernabeu” sezonin e ardhshëm, me Realin që theu rekordin e blerjeve, edhe pse mbetet pas PSG-së dhe Barcelonës. Numri 10 luajti 352 ndeshje për londinezët, shënoi 110 gola e shërbeu 92 asistë, si dhe fitoi 6 trofe të mëdhenj, përfshi dy Premier Liga (2015, 2017), një Kupë të Anglisë (2018), një Kupë të Ligës (2015) dhe dy Liga të Europës (2013, 2019).

Tifozët e Çelsit deklaruan të pikëlluar se lojtari më i talentuar që kishte luajtur ndonjëherë për ekipin e tyre, u largua. Do të largohet, me gjasë, edhe trajneri Mauricio Sarri, dhe Çelsi do të duhet ta nisë nga e para.

Sfidanti.al