Legjenda e futbollit gjerman, “kajzeri” Franc Bekenbauer, në një prononcim në gazetën me tirazhin më të madh në Gjermani, “Bild”, deklaroi se ai do të donte që në stolin e drejtimit të Bajernit të Mynihut të ulej Jyrgen Klopi, trajneri aktual i Liverpulit që sapo triumfoi në Ligën e Kampioneve.
Për Bekenbauerin, kjo do të ishte dhurata më e mirë për tifozët bavarezë, sepse Klopi i solli diçka të re futbollit në Gjermani dhe, më pas, e aplikoi atë edhe në Angli.
“Unë do të isha shumë i gëzuar, nëse do ta shihja një ditë Klopin te Bajerni, gjë që do të jetë me të vërtetë një diçka shumë e bukur për tifozët. Atë risi që aplikoi te Borusia e Dortmundit, ai vazhdoi ta aplikoi me sukses edhe te Liverpuli”, deklaroi “kajzeri”.
Mbas kësaj deklarate te Bekenbauerit, reagoi menjëherë vetë Klopi që deklaroi: “Mua gjithnjë më ka pëlqyer Franci, ndërkohë që e di se edhe unë i pëlqej atij, por unë kam një kontratë kohëgjatë me Liverpulin. Sidoqoftë, ajo që tha ai është e bukur, shumë më e mirë sesa të thoshte se unë nuk bëj për trajner të Bajernit”.
Sfidanti.al