Përse Premier Liga vendosi diktaturën në kupat e Europës?!

Fitimet e tyre ishin 4.5 miliardë paund stërlina, që do të thotë mbi 5.2 miliardë euro, në sezonin e fundit kur janë bërë bilancet financiare, 2016-2017. Një rekord, që ishte 25 për qind më i lartë sesa fitimet e një edicioni më parë, që edhe ai ishte një rekord. Flasim për klubet e Premier Ligës së Anglisë, të cilat e treguan rritjen e tyre duke nxjerrë katër nga katër finalistët e kupave kontinentale. Si të thuash, një makinë 4×4!

E gjithë kjo pasuri u garantua, para së gjithash, nga kontratat e reja të së drejtave televizive, që arrijnë në 8.4 miliardë paund stërlina për 3 sezone 2016-2019, ndërsa që nga viti i ardhshëm sportiv pritet të ketë rekorde të tjera. Mançester Junajtidi, Mançester Siti, Liverpuli, Çelsi, Arsenali e Totenhemi janë “gjashtëshja e madhe”, por e gjithë Premier Liga është në nivele të larta.

Revista amerikane “Forbs” publikoi një raport të rëndësishëm sipas të cilit, vetëm Reali, Barcelona dhe Juventusi morën më shumë të ardhura nga e drejta televizive sesa klubi i vendit të 20-të të Premier Ligës!!! Kjo shpjegohet me një fakt të thjeshtë, që në Angli shpërndarja e të drejtave televizive është thuajse e barabartë mes të gjithë klubeve, me raportin 1:1.3, lënë prapa vetëm nga një vend shumë social si Suedia, që ka raportin 1:1.2!

Vetëm 8 klubet kryesore angleze fituan 5.3 miliardë euro, që do të thotë dyfishi i krejt Bundesligës dhe La Ligës, dhe që përfaqëson 27 për qind të fitimeve të gjithë klubeve në Europë (rreth 700 të tillë).

Paraja natyrisht është themeli, ashtu siç është edhe kultura sportive, me ndeshje të luftuara fort për 90 minuta, dhe ku impenjimi i skuadrave nuk varet nga pozicioni në tabelë apo interesi direkt për ndeshjen (mbijetesë, titull, Champions, Ligë Europe).

Së fundi, por jo e fundit për nga rëndësia, faktori “trajner”. Prej disa vitesh në Premier Ligë drejtojnë disa nga personalitetet më të rëndësishme të stolit. Pep Guardiola, Jurgen Klop, Maurisio Poçetino, Mauricio Sarri, Unai Emeri, Rafa Benitez, Manuel Pelegrini, Roi Hoxhson, Ralf Hazenhytël, ndërsa deri pak muaj më parë ishin Zhoze Murinjo apo Arsen Venger. Një skuadër e madhe kurrë nuk mund të krijohet pa një trajner të madh.

Sfidanti.al