Një lule, që bashkon Anglinë dhe Skocinë kundër FIFA-s

Data 11 nëntor është e shenjtë në Britaninë e Madhe, pasi çdo vit, në këtë ditë të kalendarit përkujtohën të rënët në Luftën e Parë Botërore. Që kur është vendosur data, është zgjedhur edhe lulkuqja si simboli i nderimit për ata që sakrifikuan në mbrojtje të vlerave të njerëzimit. Meqenëse pikërisht sot do të luhet ndeshja e madhe midis Anglisë dhe Skocisë, të dy federatat kanë vendosur, që në fanelat e skuadrave përkatëse të stampohet një lulkuqe, si dhe futbollistët të mbajnë shirit të zi. Një gjë e tillë nuk është pranuar nga FIFA, ndërkohë që Anglia dhe Skocia e kanë shpërfillur publikisht vendimin e institucionit që drejton futbollin e globit, megjithëse janë paralajmëruar sanksione.

“Që të mos harrojmë”, është titulli i The Sun, që artikullin e saj e ilustron me ndeshjen e djeshme Angli – Indi në kriket, shumë e rëndësishme për nga ana sportive. Në atë takim, përfaqësuesit e “Tre Luanëve” u lejuan ta mbanin lulen-simbol në jakat e bluzave, por ironia e The Sun vazhdon: “Le të shpresojmë që FIFA të jetë duke na parë”.