Nga pragdorëheqja në 2016, tek “ëndrra 2020”, Simeone do Championsin!

Katër vjet më parë humbi finalen e dytë radhazi të Ligës së Kampionëve dhe kaloi një krizë të vërtetë psikologjike. Edhe një “luan i pamposhtur” si Diego Pablo Simeone mund të ketë momente dobësie dhe kështu i ndodhi ndërsa Atletiko pësoi disfatë në ndeshjen fundore të Championsit ndaj Realit, pas gjuajtjes së penalltive. Mediat shkruajnë sot, në prag të duelit çerekfinal ndaj Lajpcigut, se trajneri argjentinas thuajse dha dorëheqjen pas disfatës së finales së 2016-ës, ndonëse më pas e mblodhi veten.

Tashmë, katër vjet më vonë, në mënyrë të habitshme Simeone ka shanse shumë të mira për ta fituar trofeun e madh, ndonëse duhet të kalojë tri pengesa. Të parën sonte ndaj Lajpcigut gjerman, të dytën në gjysmëfinale ndaj Sitit ose Lionit, e më pas (nëse arrin) duhet të fitojë finalen. “Në atë kohë kalova pranë lojtarëve të Realit që festonin dhe u ndjeva keq, – deklaron Simeone, – e kuptova se do të kishim një vit të vështirë, dhe dyshoja sesi mund t’i motivoja lojtarët. Mund të largohesha dhe kisha 35 milionë arsye për t’u larguar (PSG i ofroi 35 milionë euro rrogë në vit nëse fitonte Championsin), por qendrova kështu doja”. Pas eleminimit të Liverpulit, kampion në fuqi i Europës, Atletiko ka më shumë shpresa dhe ky mund të jetë viti i saj, por po ashtu mund të jetë viti i Mançester Sitit, Paris SG, Bajernit, Barcelonës, pse jo edhe i Lajpcigut.

Sfidanti.al