Në Itali nuk ka shpresë, as Pionteku s’ia doli me Juven!

Nëse në Gjermani pati garë, madje ende është e hapur, nëse në Spanjë, Atletiko e Madridit pavarësisht gjithçkaje mund të quhet rivale e Barcelonës, në Itali, askujt nuk po “ia mban” t’i dalë përpara Juventusit. Napoli “i ka marrë rrugët” me kohë, po ashtu Interi e Roma, ndërsa shpresohej se ndoshta Milani mund të vihej në sedër për ta sfiduar “Zonjën e Vjetër” në shtëpinë e saj.

Edhe pse “pistoleri” Piontek e bëri detyrën, duke shënuar golin që i takonte, madje duke kaluar miqtë në epërsi, “gjunjët” e kuqezinjve nuk mbajtën deri në fund. Kampionët në fuqi të Serisë A shënuan, pas pushimit me anë të Paulo Dibalës (penallti) dhe të zakonshmit Moize Kin.

Gjithsesi, Milani protestoi ashpër me gojën e drejtuesit të lartë, Leonardo, që ia faturoi arbitrit këtë disfatë. “Ishin gabime të rënda nga ana e gjyqtarit, – tha ai, – nuk dha një penallti, dhe ndikoi në mënyrën sesi dha kartonët, duke shkaktuar nervozizëm, një arbitrim i padenjë për një ndeshje të tillë dhe për lojtarë të tillë”.

Pas kësaj disfate, Milani rrezikon shumë vendin e katërt, pra kualifikimin për në Champions, pasi Atalanta është vetëm 1 pikë prapa, dhe po ashtu konkurrenca nga Roma, Torino e Lacio është tepër e ashpër.

Sfidanti.al