Mos u mërzit Milan, barazimi me Juven në Kupë ishte si fitore!

Fati nuk i deshi as këtë herë, por prova e dytë radhazi ishte serioze dhe tregoi shumë. Milani i Piolit dhe Zllatan Ibrahimoviçit u tregua ndjeshëm superior ndaj Juventusit të Kristiano Ronaldos dhe Sarrit, ashtu siç bëri të paktën për 45 minuta ndaj Interit të Kontes e të Lukakut. Gjysmëfinalja e parë e Kupës së Italisë, në “San Siro”, përfundoi në barazim 1-1, por rastet e milanistëve ishin të shumta, dhe ato të juventinëve shumë të paktë.

Ibrahimoviç e Rebiç ishin rreziku kryesor për portën e mbrojtur nga legjenda Xhanluixhi Bufon, që bëri pritje të rëndësishme. Kroati Rebiç shënoi me të drejtë në 61’, por në 72’, Teo Hernandez u përjashtua për dy të verdha. Ronaldo nuk u duk shumë, ndoshta edhe sepse Juvja nuk këmbënguli, por ishte i rëndësishëm në fund. Fitoi penalltinë pas roveshatës, me topin që u përplas në dorën e Kalabrias, dhe pastaj e ktheu në gol në minutën e parë shtesë.

Tifozët e Milanit u shprehën të dëshpëruar duke shkruar në rrjetet sociale se “këto kohë nuk kemi fat”, por besohet se mbetën të kënaqur nga paraqitja. Ndoshta vitin tjetër mund të vijë ndonjë trajner me emër të madh, por edhe me Piolin mund të ecet përpara, sidomos nëse do të ketë disa përforcime.

Sfidanti.al