Mallkimet për Klopi dhe viti i harruar 2017 i Pep Guardiolës

Me pesë humbje radhazi në “Anfild”, trajneri gjerman nuk mund të ndihet aspak krenar. Vështirë të gjendet ndonjë epokë tjetër e historisë së Liverpulit, kur ky ekip të ketë pasur një seri të tillë negative në shtëpi, ndërsa pas humbjes me Çelsin nisën mallkimet pa fund për teknikun e tij. Deri edhe tifozë të ekuilibruar (edhe ndonjë shqiptar mes tyre), iu vunë shkrimeve në FB duke e kritikuar Klopin, madje edhe duke e ofenduar, sikur ky të ishte një njeri në të thyer të moshës, që është bërë barrë për klubin. E vërtetë, që Liverpuli mund të dështojë rëndë këtë sezon, mund të mbetet pa kualifikim për në Champions (titulli “shkoi e vate”), nga kupat është eleminuar, ndërsa nga Liga e Kampionëve nuk i dihet se çfarë do të nxjerrë në dritë.

Gjithsesi, për të qetësuar “kokat e nxehta”, le të hedhim pak sytë në jetën e një tjetër trajneri të madh të futbollit, Pep Guardiolës. Pasi triumfoi radhazi me Barcelonën, dhe pati sukses shtëpiak të paparë me Bajernin (edhe pse jo Championsin), katalanasi firmosi për Mançester Sitin në 2016. Sezoni i parë ishte një dështim, asnjë trofe në 12 muaj, me suksesin e vetëm kualifikimin për në Champions që duhej të ishte një minimum për skuadrën e miliardave. Pepi pati rekordin negativ si trajner me 5 ndeshje pa fitore në ligë, dhe 6 ndeshje pa fitore radhazi në çdo konkurrim, si dhe pësoi humbjen më të rëndë në kampionate, 0-4 me Evertonin. Nga Championsi, Siti i tij u eleminua nga Monako! Gjithsesi, më pas ai fitoi dy tituj radhazi në Premier Ligë e po fiton të tretin në 4 vjet. E pra, do të ketë jetë për Klopin edhe pas këtij sezoni.

Sfidanti.al