Lushnja lumturon mijëra tifozë, kthehet në Superligë pas 3 vitesh!

Pritja 3-vjeçare mori fund. Tifozët lushnjarë, ndër më të zjarrtët në Shqipëri, mund të jenë më në fund të lumtur, sepse skuadra e tyre u ngjit në Superligë. Festa ishte e gjitha në stadiumin e qytetit, “Roza Haxhiu”, pas gati 100 minutash lojë, në përballjen direkte ndaj rivalit kryesor, Bylisit.

Një gol i shënuar nga Sefa në minutën e 33-të vendosi fatin e duelit në prani të mijëra tifozëve, shumica vendas. Një krosim në zonë dhe një vonesë e portierit Rizvani ndihmoi sulmuesin shtatlartë që ta dërgonte topin në rrjetë. Ishte një revansh i vërtetë ndaj mallakastritëve që dy vjet më parë fituan të njëjtin duel, duke u ngjitur ata në Superligë, ndërsa lushnjarët u detyruan të prisnin.

Miliona lekë ishin premtuar si shpërblim për të dyja palët, para që do t’i marrin lojtarët vendas dhe trajneri Bano bashkë me stafin e tij, ndërsa tifozët ishin ftuar që të hynin pa biletë për këtë finale, pa bërë dallim mes vendasve dhe miqve nga Ballshi. Lushnjarët u ndihmuan edhe nga kartoni i kuq i Kuçit të Bylisit në minutën e 43-të, ndërsa për t’u ngjitur në elitë do t’u kishte mjaftuar edhe barazimi.

Sfidanti.al