Yamal stërvitet i veçuar

Vetëm tri ditë para finales së Kupës së Botës 2026 ndaj Argjentinës, në kampin e Spanjës është ndezur një sinjal alarmi për gjendjen fizike të Lamine Yamal. Megjithëse nga përfaqësuesja spanjolle zyrtarisht minimizojnë situatën dhe thonë se nuk ka arsye për shqetësim, ylli 19-vjeçar u paraqit në stërvitjen e parë pas gjysmëfinales me një fashë të dukshme në kofshën e majtë dhe nuk u stërvit me pjesën tjetër të ekipit.

Sipas raportimeve nga Spanja, gjendja e sulmuesit nuk konsiderohet serioze, por fakti që ai zhvilloi një program të veçantë ka shtuar dyshimet vetëm pak ditë para ndeshjes më të rëndësishme të turneut. Yamal e përfundoi i dëmtuar lehtë gjysmëfinalen e fituar ndaj Francës, ku fitoi penalltinë që zhbllokoi takimin. Edhe në minutat e fundit të asaj sfide ai shfaqi shenja shqetësimi fizik, megjithatë arriti ta mbyllte ndeshjen në fushë.

Menjëherë pas kthimit në hotel, stafi mjekësor i kombëtares spanjolle nisi trajtimin e futbollistit, ndërsa në seancën e fundit ai u pa me fashën në kofshë dhe u stërvit veçmas. Përveç Yamal, me grupin nuk u stërvit as mbrojtësi Pedro Porro, një nga protagonistët e gjysmëfinales.