Lukaku është “Maradona” i Interit, Mihajloviç s’pati “ring” për ta ndalur!

Kundërshtari në stol, Sinisha Mihajloviç, kishte deklaruar se “Lukakun mund ta ndalosh vetëm në ring”. Ish-trajneri i Spanjës dhe i Realit të Madridit, Visente Del Boske, theksoi se “Lukaku është sulmuesi më i vështirë për t’u mbuluar nga një mbrojtës”. Fjalën e fundit e tha trajneri i tij, Antonio Konte, pas fitores 3-1 të Interit ndaj Bolonjës. “Mund të bëhet numri 1 i botës”. Me një Romelu Lukaku “monstruoz” (siç shkruan “Il Korriere delo Sport”, dhe me një Ashraf Hakimi shumë të mirë, Interi vazhdoi serinë e fitoreve (3 radhazi, 4 në 5 ndeshjet e fundit) duke qenë vetëm 2 pikë larg Milanit që mban kreun e Serisë A. Dakord, kuqezinjtë kanë një ndeshje për të luajtur, por forma e zikaltërve duket shumë e mirë.

Shumë raste për të shënuar, me Lukakun, sidomos me Aleksis Sançezin, një gol i Lukakut dhe dy të Hakimit, ndërsa u lanë të pushonin sado pak Lautaro Martinez dhe Barela. “Romelu mund të bëhet një nga më të mirët në botë, – thotë Konte, – ai ka gjithçka. Është një lojtar i futbollit amerikan, është i vetmi në llojin e tij, shumë i talentuar, shumë punëtor dhe i thjeshtë”. Konte vlerësoi Sançezin, ndërsa deklaroi se me Eriksenin ka raport të mirë, dhe se do të përpiqet që danezi të luajë sa më shumë.

Sfidanti.al