Kur shpresa e futbollit nis 16 vjeç, vajzat e Agustin Kolës fitojnë 3 nga 3!

Turneu europian u mbyll më së miri. Tri ndeshje dhe tri fitore për vajzat e kombëtares U16, të drejtuar nga trajneri Agustin Kola, që e mbyllën më së miri në “Arenën Air Albania” ndaj Malit të Zi.  Fqinj verior u mposht me shifrat 5-2, dhe padyshim me dominim në lojë, ndërsa femrat shqiptare e treguan veten edhe pas dy sukseseve të para.

Më herët, Shqipëria U16 e femrave mundi 3-1 Lituaninë dhe po 3-1 Gjeorgjinë, me të gjitha sfidat të luajtura në stadiumin e ri të Tiranës, një lloj shpërblimi I UEFA-s për ndërtimin e tij. Skuadra e Agustin Kolës mori pjesë në atë që quhet Turneu I Zhvillimit, I organizuar nga UEFA.

Ish-legjenda e sulmit të Tiranës e tregoi veten një drejtues të mirë për vajzat adoleshente që normalisht janë 15 vjeç. Ndeshjet e skuadrave të tjera u luajtën në stadiumin “Elbasan Arena”, dhe në përfundim, Shqipëria e mbylli turneun në vendin e parë në grup me 9 pikë, e dyta doli Lituania me 5 pikë, ndërsa në vendet e fundit dolën Mali I Zi e Gjeorgjia. Futbolli I femrave duhet thënë se nuk ka traditë të madhe në Shqipëri, por shpresohet të përparojë me kalimin e viteve.

Sfidanti.al