Jepini klubin dy njerëzve që marrin vesh, dhe do të keni sukses!

Presidenti i Partizanit është një njeri që e njeh mirë veten, dhe nuk ka komplekse të pohojë atë që nuk di. Gaz Demi, prej 6 vitesh në krye të të kuqve, kurrë nuk ka thënë se merr vesh nga futbolli, ndaj gjithnjë skuadrën dhe klubin ua ka lënë të tjerëve që ta drejtojnë. Ai fitoi titullin e tij të parë kampion me dy “shefa sporti” si Olsi Rama dhe Skënder Gega, i pari si drejtor i përgjithshëm dhe i dyti si trajner.

Mund të pyesësh edhe ata që Partizanin nuk duan ta shohin me sy, dhe të thonë se “vëllai i kryeministrit” dhe “djali i shtëpisë” Gega patën meritën kryesore, kuptohet pa harruar futbollistët. Nëse një punë e drejtojnë ata që marrin vesh nga ajo punë, dhe që nuk e kanë mendjen e ngushtë që të përfitojnë sot për sot, atëherë ke sukses të garantuar. Nëse një punë e drejtojnë njerëz me kulturë dhe “taban”, atëherë ke sukses, dhe skuadra kthehet në një familje. Nuk ka gjë më të fortë në futboll sesa një skuadër e kthyer në familje, dhe Partizani ishte e tillë.

Vetëm diçka presidenti Gaz Demi nuk e ka arritur ende, dhe nuk mjaftojnë Olsi Rama me Gegën që t’ia sigurojnë. Ai pohoi pas ndeshjes me Kukësin se gjithë këta vjet Partizani ka dalë me humbje, dhe se është i bindur se kjo do të ndryshojë dhe futbolli do të kthehet në biznes. Në një vend të varfër dhe informal si Shqipëria, duket e largët dita e të bërit biznes, sepse nuk mjaftojnë dy njerëz të zot në klub, duhen shumë më tepër, duhet infrastrukturë. Po ashtu, biznesi është si tangoja që nuk kërcehet vetëm, është një “valle” që duhet ta kërcejnë gjithë klubet e Shqipërisë.

Sfidanti.al